Barella firmos kontratën e re me Interin

Nicolo Barella zgjat zyrtarisht bashkëpunimin me Interin deri në verën e 2029-ës. Mesfushori që njëkohësisht është edhe zëvendës-kapiteni i zikaltërve, kishte firmosur prej ditësh kontratën e re, por komunikata zyrtare e klubit milanez erdhi vetëm pasditen e të martës. “Interi njofton se ka arritur marrëveshjen me Nicolo Barellën për të vijuar bashkëpunimin deri në verën e 2029-ës”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e klubit zikaltër, që blindon kështu një titullar mjaft të rëndësishëm të formacionit të Inzaghit. Mesfushori 27-vjeçar iu bashkua Interit në verën e 2020-ës dhe që atëherë ka fituar trofe të shumtë me fanellën zikaltër, përfshi edhe dy tituj kampionë. Me kontratën e re, italiani do të përfitojë 6.5 milionë euro në sezon, që bashkë me bonuset mund të arrijë deri në 8 milionë euro në sezon. Krahas Barellës, zikaltrit kanë arritur marrëveshjen për të zgjatur bashkëpunimin deri në 2029-ën edhe me kapitenin Lautaro Martinez. Ky i fundit pritet të kthehet në Milano pas përfundimit të angazhimit me Argjentinën në Copa America dhe vetëm atëherë do të vijë firma mbi kontratën e re dhe zyrtarizimi i marrëveshjes.

sfidanti.al