Sa e lehtë është të fitosh, kur e ke bërë shpesh. Kjo madje ndodh edhe kur një klub sportiv është i mbytur me borxhe deri në fyt, siç është rasti i Barcelonës. Katalanasit, që besohet se kanë detyrime prej mbi 1 miliardë eurosh, kanë realizuar një shpërthim të madh këtë sezon, duke fituar plot 6 tituj në Spanjë. Le ta fillojmë me futbollin e djemve, që është sporti më popullor në botë në mënyrë absolute. Skuadra e trajnerit Ksavi Hernandez fitoi La Ligën duke sfiduar pa problem Realin e Madridit, ndonëse u turpërua në Champions.
Nuk mbeti prapa skuadra e futbollit të vajzave, përkundrazi. Femrat “blaugrana” triumfuan siç pritej në kampionatin spanjoll pa pasur asnjë konkurrencë. Gjithsesi, ato fituan edhe Championsin pas finales në Holandë ndaj Volfsburgut të Gjermanisë. Sukseset e Barcelonës vazhduan me sportet e tjera. Skuadra e basketbollit të meshkujve më në fund e tregoi gjithë potencialin e saj duke mundur Realin e Madridit në finalen e plej ofit të Ligës. Tifozët mezi e prisnin hakmarrjen pas humbjes së rëndë ndaj madrilenëve në gjysmëfinalen e Euroligës, dhe skuadra e tyre ua bëri qejfin plotësisht.
Në hendboll, “blaugranët” gjithashtu fituan titullin në kampionat, e u eliminuan në mënyrë dramatike në Katërshën Finale të Championsit. Titujt e tjerë erdhën në hokej në parket dhe në futbollin e sallës. Në hokej, katalanasit janë dominues absolutë në Spanjë me 33 kampionate të fituara, ashtu si me 25 Kupa të Mbretit dhe 22 Champions, që të gjithë rekorde. Në futbollin e sallës, djemtë e Barçës morën trofeun e 7-të, ndërsa në Champions kanë dalë 4 herë kampionë, ndonëse jo këtë sezon.
Sfidanti.al