Barcelona hap krahët në merkato, Real Madridi vendos rekord të ri

LaLiga ka publikuar kufijtë e kostos së skuadrave për sezonin e ardhshëm, me diferencën mes dy rivalëve të mëdhenj të futbollit spanjoll që mbetet e ndjeshme. Real Madridi kryeson listën me një kufi prej 832.7 milionë eurosh, ndërsa Barcelona ka bërë një përmirësim të madh financiar, duke e çuar limitin e saj në 582.7 milionë euro.

Sezonin e kaluar, katalanasit kishin një kufi prej rreth 432.8 milionë eurosh, ndërsa tani kanë në dispozicion rreth 150 milionë euro më shumë hapësirë financiare për pagat, kostot e skuadrës dhe lëvizjet në merkato. Përmirësimi bëhet edhe më i dukshëm po të krahasohet me situatën e viteve të fundit, pasi Barcelona kishte arritur deri në një kufi negativ prej -144 milionë eurosh, ndërsa tani është ngjitur në 582.7 milionë euro.

Ky ndryshim lidhet me uljen e shpenzimeve strukturore, të ardhurat nga zonat VIP të Camp Nou dhe rritjen e kapacitetit të stadiumit pas hapjes së një pjese të re për tifozët. Përmirësimi i jep Barcelonës më shumë hapësirë për të vepruar në merkato dhe për të përforcuar skuadrën, megjithatë klubi duhet të vazhdojë ta menaxhojë me kujdes situatën financiare, pasi rikthimi i përkohshëm në stadiumin olimpik të Montjuïc në sezonin 2027-28 mund të ndikojë te të ardhurat dhe, si pasojë, te kufiri i pagave. Në krye të listës mbetet Real Madridi, i cili e ka rritur kufirin nga rreth 761 milionë euro në 832.7 milionë euro, duke vendosur një rekord të ri në LaLiga dhe duke ruajtur avantazhin financiar ndaj rivalëve. Pas tij renditet Barcelona, ndërsa Atlético Madrid vjen i treti me 361.2 milionë euro. Kufiri i kostos së skuadrës nuk nënkupton vetëm paratë për transferime, por përfshin pagat dhe bonuset e lojtarëve e stafit, amortizimin e transferimeve, kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shpenzime të tjera që lidhen me ekipin. Nëse një klub e tejkalon kufirin e përcaktuar nga LaLiga, mund të përballet me kufizime në regjistrimin apo rinovimin e kontratave të futbollistëve. Barcelona duket se ka fituar një hapësirë të rëndësishme financiare pas disa vitesh të vështira, por Real Madridi vazhdon të jetë shumë përpara në këtë aspekt, me një kufi rekord prej 832.7 milionë eurosh.