Balak shkon thellë: Federata gjermane ka gabuar shumë me Lëvin

Legjenda gjermane e futbollit, Mihael Balak, nuk i kurseu kritikat në adresë të përfaqësueses së Gjermanisë që u eliminua nga Botërori pa filluar mirë. Sipas tij, gabimi më i madh që ka bërë federata gjermane e futbollit, është vazhdimi i kontratës me trajnerin Joakim Lëv para kampionatit botëror.

“Rezultati i ndeshjes të së mërkurës (Gjermani-Kore e Jugut) ishte për mua shokues. Rezultatet që ka arritur përfaqësuesja gjermane në ndeshjet kualifikuese ose miqësore para Botërorit nuk mund të shërbjnë si matës për kualitetin e Gjermanisë, kështu që nuk ishte aspak nevoja që Lëvit t’i zgjatej kontrata e re katër javë para fillimit të kampionatit botëror.Unë nuk po them, nëse Lëvi do të duhet që ta vazhdojë ta mbajë funksionin e trajnerit kryesor të Gjermanisë, por, me të vërtetë, është e pakuptueshme sesi mund të bjerë kaq poshtë një ekip me lojtarë cilësorë”, tha Balaku.