Asllani nuk e harron të shkuarën, feston për mbijetesën e Empolit

Një gol i Niang në minutat shtesë të ndeshjes Empoli-Roma u dha mbijetesën në elitën e futbollit Italian toskanëve, që këtë sezon vuajtën jo pak për të siguruar qëndrimin në Serinë A. Në festë shqiptarët si Ismajli që ishte në fushë, por edhe Berisha e Shpendi në pankinë, megjithatë nuk mbaron me kaq. Një tifoz i zjarrtë i Empolit vijon të jetë edhe Kristjan Asllani, që është rritur pikërisht te toskanët dhe ndonëse prej dy sezonesh është pjesë e Interit, vijon të mbajë në zemër të shkuarën e tij. Në përfundim të ndeshjes Verona-Inter, Asllani u afrua tek njëri prej pjesëtarëve të stafit të Inzaghit për t’u njohur me rezultatin e ndeshjes Empoli-Roma dhe pasi mësoi për fitoren e vendasve, festoi jo pak në fushë.

Momenti i festës së mesfushorit kuqezi nuk kaloi pa u evidentuar nga media italiane, që solli në vëmendje lidhjen e fortë të Asllanit me klubin e Empolit, aty ku u rrit dhe debutoi si futbollist profesionist. Sfida e të dielës ishte e fundit e mesfushorit me Interin për këtë sezon, teksa tashmë pritet që të fluturojë drejt Tiranës për t’u vënë në dispozicion të trajnerit Sylvinho për Europianin Gjermani 2024 me Shqipërinë.

sfidanti.al