Argjentinë, kritikat e para për De Rosin: Turist i luksit

Pas pritjes madhështore që iu dedikua në momentin e mbërritjes në Buenos Aires, Daniele De Rosi filloi të marrë edhe kritikat e para nga tifozët e Boca Juniors të cilët mbetën të zhgënjyer nga paraqitjet e tij. ‘El Tano’ sic i thërrasin mesfushorit italian në Argjentinë, luajti për 70 minuta në Superclasicon me River Plejt të mbyllur 0-0 por nuk e bëri diferencën sic pritej.

Kështu që në rrjetin social Twitter filluan të lexohen akuzat e para. ‘është një turist i luksit-postonte një prej tifozëve të Boca Jr, ndërsa të tjerë e përkufizuan si një fantazmë ndërkohë që dikush tjetër shkruante: Ai ka më pak dëshirë për të luajtur sesa unë për të nisur javën’.

Nuk ishin të paktë atë që i vinin në dukje moshën 36 vjecare: ‘Nuk luajti mirë. Duket qartë mungesa e ritmit dhe mosha e madhe-ishte një prej postimeve-nuk e mohoj se është një fenomen, por për momentin te Boca nuk është vënë re aspak’.

Të shumtë ishin ata që kritikuan zgjedhjen e bërë nga trajneri për ta aktivizuar De Rosin si titullar, ndërsa dikush tjetër kritikoi vendosjen e tij përkrah Markones.

‘Nuk mund të luajnë së bashku, janë dy mesfushorë të ngadaltë-lexohej te një nga komentet. ‘Alfaro mendon vetëm të mbrohet. Ishte rastësi që nuk humbëm. Lojtarët nuk dinin cfarë të bënin dhe De Rossi e pësoi këtë konfuzion-theksonte dikush tjetër.

Gjithsesi Boca Jr, është në vendin e dytë në kampionat me 2 pikë më pak se San Lorenzo dhe është kualifikuar për në gjysmëfinale të Kupës Libertadores ku do të luajë pikërisht ndaj River Plejtit në 2 tetor në Monumental dhe në 23 tetor në Bombonera. Dy sfida ideale për De Rossin që të ndryshojë mendjen e kritikëve të tij.

sfidanti.al