Argjentina tërbohet; AFA letër CONMEBOL-it kundër arbitrimit.

Te Argjentina askush nuk e ka kapërdirë eliminimin në gjysmëfinale të Copa America nga Brazili. Te ‘Seleccion’ ankesat ishin të gjitha për arbitrimin dhe i pari që shpërtheu ishte pikërisht Lionel Messi, ndërkohë që në veprim hyri edhe Federata Argjentinase e Futbollit. Kjo e fundit nëpërmjet presidentit Klaudio Tapia dërgoi një letër në Konfederatën Amerikanojugore të futbiollit, CONMEBOL për t’u ankuar për arbitrimin duke kërkuar në të njëjtën kohë që të dëgjojë bisedën mes arbitrit Rodi Zambrano dhe atij në sallën e VAR, Leodan Gonzales

‘Për fat të keq, ajo që ndodhi në ndeshjen mes Argjentinës dhe Brazilit meriton një refleksion të thellë që vë në dyshim respektimin e etikës, besnikërisë dhe transparencës që ju si president i CONMEBOL e theksoni gjithmonë-lexohet në letrën e Tapias-ky refleksion gjen bazë te të gjitha parregullsitë e vëna re përpara dhe gjatë ndeshjes ku u duk qartë se kombëtarja jonë u dëmtua nga gjyqtarët me në krye Rodi Zambrano sidomos se nuk përdori sistemin VAR në 2 episode konkrete që do të kishin ndryshuar rezultatin e ndeshjes. Fakti që përcaktimi i këtij ekipi arbitrash u kontestua nga AFA për precedentët negativë të Zambranos i rrit dyshimet që gjeneroi arbitrimi i ndeshjes së djeshme’

Tapia në letrën e tij i referohet dy rasteve të dyshimta për penallti në favor të Argjentinës që nuk u ripanë në sistemin VAR. por jo vetëm kaq, presidenti i Federatës Argjentinase të Futbollit në letrën e tij flet edhe për ‘ndërhyrje politike’ nga ana e presidentit brazilian Zhair Bolsonaro dhe kërkon dorëheqjen e Shefit të Komitetit të Arbitrave të CONMEBOL, Uillson Seneme.

Sipas asaj që publikohet në median braziliane, prania e kreut të shtetit amerikanolatin në stadium bëri të që të favorizohej ‘Seleçao’ për shkak të radiove të përdorura nga punonjësit e sigurisë së Bolsonaros që kishin të njëjtat frekuenca si ato me të cilat komunikonin arbitri i ndeshjes me atë të sistemit VAR dhe kjo shkaktoi interferenca. Pikërisht për këtë arsye Tapia kërkoi të dëgjojë bisedën mes Zambranos dhe Gonzales.

sfidanti.al