Argjentina largon frikën, duke u kthyer në garë për një vend në “Rusia 2018”. Skuadra bardhekaltër kanë mundur pa asnjë vështirësi Kolumbini në San Huan, me gola të Mesit në të 10’, Lukas Prato në të 23’ dhe Di Maria, gjashtë minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt. Sulmuesi i Barcelonës është kthyer në ditët e tij të mira dhe në çdo prekje të topit e ka elektrizuar impiantin ku u zhvillua takimi. Tashmë mbetet një ndeshje shumë e rëndësishme me Kilin në shtëpi, në 23 mars, ku me një fitore të mundshme, Argjentina hyn në katërshen që të dërgon direct në Botëror.
Por gjithsesi, argjentinasit nuk gjejnë paqe. Pas ndeshjes, Mesi dhe shokët e tij të skuadrës kanë deklaruar heshtje shtypi, për të mos e agravuar më tej situatën. E gjitha për shkak të një gazetari, Gabriel Anelo, i cili në prag të përballjes ndaj Kolumbisë ka thënë, se mungesa e Lavecit në listën e zëvendësuesve, ndoshta ka ardhur si pasojë e një cigare mariuane, që e ka tymosur një natë përpara. “Akuzat ndaj Poko janë shumë të rënda – ka thënë Mesi – për këtë arsye nuk do të ketë më komunikime, për të ndaluar spekullimet”. Ndërsa Laveci nuk i ka marrë aspak mirë insinuatat dhe ka vendosur të ndërmarrë hapa ligjorë ndaj gazetarit, për të sqaruar çështjen.