Në stadiumin me emrin e “Anton Malatinskit” në Trnavë të Sllovakisë, festa ishte për Anglinë. Mbyllja e Europianit U19 ishte triumfale për ishullorët që fituan titullin kontinental pasi mundën 3-1 Izraelin në finale. “Luanët” e rinj ia dolën me golat e shënuar nga Kallëm Dojli në 52’ dhe pastaj në kohët shtesë nga Karnej Çukvuemeka (108’) dhe Aron Ramsej (116’). Izraeli kishte kaluar në epërsi në 40’ me anë të Oskar Glohut. E vërteta është se Anglia ka qenë gjithnjë një fuqi e madhe kontinentale për 19-vjeçarët pasi ky ishte titulli i 11-të në histori për ishullorët. Kjo do të thotë barazim i rekordit të Spanjës që gjithashtu ka 11 tituj, duke lënë në vend të tretë Francën me 8, pastaj Gjermaninë me 6 po aq sa Rusia (bashkë me ish-Bashkimin Sovjetik). Anglezët kanë lojtarë të mirë si Koks, Çukvuemeka, Dojl, Ramsej, Skarlet, Devin, Delap, Eduards, Ojegoke, Xhebison, Vejl apo Skot.
Sfidanti.al