Al-Ittihad tundon Real Madridin, ‘pagë galaktike’ për Camavingan

Merkatoja e dimrit sapo ka ulur siparin, por lëvizjet për verën kanë nisur me zhurmë të madhe.Në qendër të vëmendjes është mesfushori i Real Madrid, Eduardo Camavinga, i cili raportohet se është objektivi i madh i Al-Ittihad.

Klubi saudit, i njohur për investimet marramendëse në vitet e fundit, kërkon të forcojë mesfushën pas largimit të N’Golo Kanté drejt Fenerbahçe. Emri i Camavingas shihet si zëvendësimi ideal, një profil i ri, energjik dhe me eksperiencë në nivelet më të larta europiane. Interesimi për francezin nuk është i ri, por këtë herë flitet për një ofertë me shifra “stratosferike”, që mund ta vendosë në mendime serioze lojtarin. Liga saudite ka treguar se nuk kursen kur bëhet fjalë për yje nga Europa.

Megjithatë, Real Madridi e konsideron Camavingan pjesë kyçe të projektit afatgjatë.

Me kontratë deri në vitin 2029, largimi i tij nuk do të ishte i lehtë dhe çdo negociatë do të niste nga shifra shumë të larta.

Vera pritet të jetë e nxehtë në “Santiago Bernabéu”. A do t’i rezistojë Real Madridi tundimit milioner, apo Arabia Saudite do të rrëmbejë një tjetër galaktik?