Akoma nuk e besoni? Edhe trajnerët dëmtohen si futbollistët!

Mbas trajnerit të Anglisë, Garet Sauthgejt, edhe trajneri i Brazilit, Tite, pati nevojë për ndihmë mjekësore në kampionatin botëror të tanishëm. Trajnerët, në fakt, kanë “dëmtime” të një natyre tjetër, stres dhe dhimbje koke lidhur me humbjet ose formacionet, etj., që ndikojnë te shëndeti i tyre. Por, ata, sidoqoftë, kanë edhe dëmtime fizike të atij tipi që pësojnë futbollistët.

Në Botërorin aktual, deri tani, dy trajnerë kanë pasur nevojë për

ndihmë mjekësore, fillimisht, timonieri i Anglisë, Sauthgejt, që dëmtoi shpatullën, pasi u rrëzua, kur po bënte vrapin e tij të zakonshëm, dhe, më pas, ai i Brazilit, Tite, që u rrëzua dhe përfundoi në bar, duke festuar, kur Kutinjo shënoi gol në ndeshjen me Kosta Rikën. “Bëra një tërheqje muskulore, dëmtova edhe ca inde, por pa shumë rëndësi. Doja të festoja golin, por nuk shkova shumë larg”, tha Tite që, në fakt, ka probleme dëmtimi, veç me veten, edhe me Danilon dhe Dagllas Kostën që ka shumë mundësi që të mos luajnë në ndeshjen e fundit të Grupit E me Serbinë.

Sfidanti.al