Ajaksi një mrekulli e Championsit, ikin 8 lojtarë për 240 milionë euro, sërish fiton 4-0!

Rezultati në Arenën “Johan Krujf” ishte i papritur, edhe pse vizitor nuk ishte ndonjë ekip i madh i Europës. Ajaksi i Amsterdamit mundi 4-0 Gllazgou Rejnxhërsin në ndeshjen e parë në grup në Champions, edhe pse ndryshimet në përbërje kanë qenë të mëdha. Të paktën 6 lojtarë të rëndësishëm u larguan nga ekipi dhe flitet për ata të formacionit si Gravenberh (Bajern), Haler (Dortmund), Lisandro Martinez (Man. Junajtid), Taliafiko (Lion), Shurs (Torino) dhe Antoni (Man. Junajtid). Klubi holandez fitoi 216 milionë euro këtë verë, një rekord, por kjo shifër mund të shkojë në 242 milionë në bazë të klauzolave në kontratat e transferimit.

“Heshtarët” nuk e patën problem këtë ndryshim drastik, siç e tregoi triumfi i thellë skocezëve, duke habitur ndoshta edhe vetë Rejnxhërsin. Në të vërtetë, kur shikon tabelën e largim-afrimeve, kupton se Ajaksi nuk ka vepruar vetëm për të fituar para. Klubi nga Amsterdami shpenzoi 100 milionë euro për marrjen e lojtarëve të tjerë si Bergvajn, Vajndal, Bejsi, Fransisko Konseisao, Brobei, Horge Sançez dhe Kaplan. Po ashtu u morën hua Delgado, Luka dhe Okampos. Natyrisht, përfitimi mbetet i madh, por Ajaksi po vepron si një biznes që e njeh mirë sesi duhet vepruar me futbollin. Edson Alvarez, Berghuis, Kudus dhe Bergvajn ishin autorët e golave ndaj Rejnxhërsit.

Sfidanti.al