Aeroporti me emrin e Ronaldos? Prapë emri i tij në Madeira

Dihet dhe nuk është gjë e re se autoritetet  portugeze vendosën që aeroportit në ishullin Madeira t’i vënë emrin e bashkatdhetarit të tyre të shquar, sulmuesit të Realit të Madridit dhe të përfaqësueses së Portugalisë, Kristiano Ronaldo. Në këtë qytet portugez, tanimë, është ngritur një statujë e bronxtë kushtuar Ronaldos, si edhe një muze dhe një hotel që funksionon sipas brendit CR7 që është edhe pseudonimi më i njohur i Ronaldos.

Sidoqoftë, ideja e dhënies së emrit të Ronaldos aeroportit ndeshi në kundërshtimin e një numri politikanësh vendas, sipas të cilëve, nuk duhet të teprohet, pasi në Madeira, tanimë, është hapur një muze dhe funksionon një hotel që kanë lidhje me emrin e Ronaldos.

Një grup banorësh të Madeiras, para disa muajsh, iu drejtua qeverisë lokale me një peticion, ku theksohej se ndryshimi i emrit të aeroportit nuk ishte i justifikuar, por, megjithatë, kërkesa e tyre nuk u mor parasysh dhe emri i aeroportit u ndryshua. Ky aeroport funksionon që nga viti 1964 dhe ka vetëm një pistë ulje dhe ngritjeje.

sfidanti.al