Kur ia dolën për herë të fundit, fanelën e ekipit e vishnin lojtarë që u bënë të mëdhenj dhe heronj të vendit të tyre. Në vitin 2002, Turqia arriti deri në gjysmëfinale të Kupës së Botës në Japoni e Kore të Jugut madje mori medaljen e bronzit duke dalë e treta, ndërsa sot po përpiqet të shkojë në Botëror për herë të parë që nga ajo kohë. Burak Jilmaz e ndihmoi ta niste me këmbën e mbarë duke shënuar 3 gola në fitoren 4-2 ndaj Holandës në stadiumin “Ataturk” të Stambollit. Turqit e trajnerit Shenol Gynesh arritën në 3-0 me dy gola të Burak Jilmazit dhe një të Çalhanoglusë, pastaj holandezët shkurtuan në 2-3, veçse veterani 35-vjeçar i Lilës shënoi edhe golin e tretë personal. “Ne po kalojmë një periudhë të jashtëzakonshme, – tha Gynesh, – Turqia gjithmonë luan për t’i fituar ndeshjet”. Jilmaz ka 27 gola në 64 ndeshje për kombëtaren, ndërsa Holandës i ka shënuar edhe në dy ndeshje të tjera.
Sfidanti.al