Rekordmen evropian i ri, sa i përket numrit të fitoreve të njëpasnjëshme, është nga qyteti skocez Ist Killbrajd që, ndërkohë, ka krijuar një miqësi të pazakontë me gjigantin holandez, Ajaks. Ekipi i Ist Killbrajdit nuk do të hyjë në Librin e Rekordeve, Ginis, pasi konkurron në kategorinë e pestë skoceze, por, megjithatë, rekordin e tij prej 27 ndeshjesh të fituar radhazi atij ia ka njohur Ajaksi i madh, rekordi i të cilit (26 ndeshje të fituara radhazi) i përket sezonit 1971-1972.
Si shpërblim, Ajaksi u dërgoi lojtarëve të Ist Killbrajdit 27 arka me birrë dhe dy shishe shampanjë që u sollën me një mikrobus pas fitores 3 – 1 së këtij ekipi mbi BSC të Glasgout. “Ky është suksesi më i madh në historinë e klubit.Është diçka joreale që të thyesh rekordin e Ajaksit, me të cilin ka luajtur Johan Krojfi i madh. Nuk ka rëndësi se ne nuk jemi në Ginis, sepse ne jemi rekordmenë dhe këtë e dinë mirë tek Ajaksi”, thonë në këtë klub.