Belfasti sërish nuk solli fat. Nuk ndodhi eleminimi tragjik si ai në 1958 që e la Italinë jashtë Kupës së Botës, por gjithsesi bileta për në Katar nuk u arrit të pritej. Në Botëror shkon Zvicra, ndërsa Italia do të duhet të kalojë me sukses plej ofin, pas barazimit 0-0 në fushën e Irlandës së Veriut. Kampionët e Europës patën zotërimin e topit, por jo frymëzim, ndërsa mediat theksuan se barazimi ishte i shëmtuar. Që nga qershori i korriku nuk ka kaluar shumë kohë, por kjo Itali duket krejt tjetër, e ngopur, e lodhur dhe ndoshta pak mendjemadhe. Për më tepër, trajnerit Mançini duket se i kanë humbur golat.
“La Gazeta delo Sport”: Italia dhe Botërori, sërish në plej of! Një ankth, por nuk ka marrë ende fund! Rreziku CR7 në finale!
“Il Korriere delo Sport” thekson se Italia rrezikohet në plej of nga Portugalia e Ronaldos, Polonia e Levandovskit e Suedia e Ibrahimoviçit!
“Jam i sigurt se do të shkojmë në Botëror, dhe pse jo, edhe ta fitojmë, – deklaroi Mançini, – me Irlandën e Veriut mund të kishim shënuar dhe të kishim qenë më të qetë, por këto kohë nuk po gjejmë golin. Duhej ta kishim mbyllur më shpejt këtë grup, por nuk e bëmë. Na prishën shumë punë dy penalltitë e humbura me Zvicrën”.
Zviceranët ndërkaq e bënë më së miri detyrën e tyre, duke fituar 4-0 ndaj Bullgarisë në Lucernë. Skuadra helvete pati titullar Xherdan Shaqirin, ndërsa në pjesën e dytë hyri edhe lojtari tjetër me origjinë shqiptare, Andi Zeqiri. Italia rrezikon të jetë në plej of përballë Portugalisë së Kristiano Ronaldos, Suedisë së Ibrahimoviçit që e eleminoi në 2017, dhe Polonisë së Levandovskit.
Sfidanti.al