E hëna do të jetë një ditë krejtësisht e veçantë, ai do të jetë sërish në stadiumin e Paderbornit, aty ku ishte në shtëpi të tij pre 3 sezone me radhë. Klaus Gjasula tashmë e ka lënë pas atë periudhë, sot ka angazhim profesional dhe moral me një skuadër tjetër, dhe çfarë skuadre, e duhet të japë maksimumin për Hamburgun. Mediat gjermane e “pikasin” si njeriun e ndeshjes, si “njeriun e dy botëve”, por biseda shkon vetvetiu aty ku “dhemb dhëmbi”.
“Gjasula nuk planifikon ndonjë rekord të ri për kartonët e verdhë”, shkruhet në media. Sezonin e kaluar, mesfushori shqiptar vendosi rekordin historik në Bundesligë me 17 ndëshkime të tilla, duke lënë pas polakun Hajto, por deri tani nuk është “zverdhur” asnjëherë. “Kur del në fushë ai ndryshon nga Pali tek Sauli”, theksojnë gazetat. “Fytyra ime ndryshon, – shprehet Gjasula, – unë gjithmonë dua që në fushë të bëj atë që është gjëja e duhur, sepse unë dua gjithmonë që të fitoj”. Sidoqoftë, “lumi” i kartonëve të verdhë duhet të ndalojë dhe ai e premton. “Dua të jem pak më i zgjuar në momente të caktuar, më i pjekur, – thotë 30-vjeçari, – nëse të verdhët do të jenë më pak se gishtat e dy duarve, do të jetë një sukses”.
Sfidanti.al