Lejkërsi një hap larg finales, a do ta bëjë Denveri mrekullinë e tretë?

Entoni Dejvis ka marrë përsipër detyrën e pikëve, Lebron Xhejms më shumë atë të asistëve, dhe që të dy atë të topave në tabela. Los Anxhelos Lejkërsat u dukën sërish të plotë, në ndeshjen e katërt finale të Konferencës Perëndimore, duke mundur me vështirësi Denverin114-108, e duke qenë vetëm një hap larg finales së madhe të NBA-së. Përveç “dyshes së mrekullueshme”, Lejkërsat kanë në “arsenal” edhe Duajt Hauardin shtatlartë, që këtë herë luftoi kundër Nikola Jokiçit, por edhe të tillë si veteranin Rondo, apo ndonjë talent më të ri si Kajl Kuzma. Dejvis shënoi 34 pikë, ndërsa Lebroni ishte pranë tripëll dabëllit me 26 pikë, 9 topa në tabela e 8 asistë. Hauard shëoi 12 pikë e kapi 11 tabela, ndërsa vuri në vështirësi Jokiçin që këtë herë shënoi pak, 16 pikë, kapi 7 topa në tabela, dha vetëm 4 asistë dhe vodhi 2 topa. Më i miri për Denverin ishte Xhamal Marrej me 32 pikë, 3 topa në tabela e 8 asistë. Dy herë më parë, Denveri ka qenë në prag të eleminimit me shifrat 1-3, ndaj Juta Xhazit dhe Los Anxhelos Klipersave, dy herë ia ka dalë. Ndaj Lejkërsave, padyshim do të jetë më e vështirë. “Duhet të bëjmë më pak gabime”, – tha trajneri Maloun. “Duhet të përmirësohemi”, – tha Marrej, ndonëse klubi pati ankesa për gjyqtarët dhe dërgoi një kërkesë me shkrim në NBA për gjykimin e tyre.

Sfidanti.al