Qeveria “zhvendos” edhe Premier Ligën me mbylljen e klubeve të natën në 22:00!

Ky popull është mësuar ta shijojë futbollin jashtë shtëpisë. Britanikët njihen si të apasionuar për jetë e natës dhe për ndjekjen e ndeshjeve nëpër lokale, veçse vendimi i fundit i qeverisë do t’i prekë disi. Kryeministri Boris Xhonson deklaroi se pabet do të mbyllen në orën 22:00, pra dy orë para mesnatës, dhe kjo detyroi drejtuesit e Premier Ligës për të marrë disa masa.

Së pari, sfida spektakolare Liverpul-Arsenal e së hënës së 28 shtatorit do të duhet të afrohet me 15 minuta, për të filluar në orën 20:00 sipas orës britanike, në mënyrë që tifozët nëpër lokale të kenë mundësi ta ndjekin deri në fund. Sfida e “Anfildit” do të jetë e para ndër ato që do të preken nga vendimi i qeverisë, por më pas pritet të ketë edhe të tjera.

Jo edhe aq për ndeshjet e të shtunës, që luhen në orën 13:30, 16:00 apo 18:30, dhe jo për ato të së dielës që luhen në orën 17:00 ose 17:30, por për ato të së hënës dhe të mesjavës. Po ashtu, edhe për duelet e Kupës së Anglisë që gjithashtu janë në orar të vonë.

Me shumë mundësi, pritet që kufizimi i orareve të lokaleve të natës të vazhdojë për disa muaj, padyshim deri në Krishtlindje apo edhe më vonë, si mënyrë për të kufizuar përhapjen e epidemisë së koronavirusit, që duket se do të ketë një valë të dytë në Britaninë e Madhe dhe në Europë.

Sfidanti.al