Keidi Bare: I lumtur që jam tek Espanjoli, të ngjitemi menjëherë në La Liga!

Në ekipin përfaqësues është bërë një nga liderët. Keidi Bare këtë formë me fanelën kuqezi po e fiton çdo ditë e më shumë me klubet, dhe ja ku hodhi hapin e radhës. Mesfushori u bë pjesë e Espanjolit, një klubi me tradita në Spanjë, edhe pse luan në kategorinë e dytë. Shqiptari 23-vjeçar firmosi kontratë 4-vjeçare e pritet të përfitojë një rrogë prej 500 000 eurosh në sezon, ndërsa katalanasit kanë paguar 2 milionë euro për kartonin e tij, e mund të paguajnë edhe të tjera, gjithnjë në bazë të sukseseve në fushën e lojës.

Bare vlerësohet si një mesfushor me talent e me karakter, dhe Espanjoli synon të ketë një skuadër të fortë për t’u ngjitur sërish në La Liga, aty ku ka qenë thuajse gjatë gjithë historisë së tij. “Jam shumë i lumtur që jam në një skuadër të tillë, – tha futbollisti në prezantim, – është një hap i rëndësishëm në karrierën time. Shpresoj që të kemi suksese dhe të kthehemi në elitë. Unë do të jap gjithçka që ta meritoj besimin”.

Bare e ka nisur karrierën tek Apolonia për të kaluar tek Atletiko e Madridit, ku luajti në ekipet e të rinjve dhe në ekipin e parë, duke i shënuar gol Liverpulit në Kupën Audi. Më pas shkoi tek Atletiko Malagenjo dhe u stabilizua tek Malaga, ku luajti 46 ndeshje e shënoi 1 gol, por sidomos u bë pjesë e formacionit dhe njëri nga mesfushorët më të mirë të ligës së dytë.

Sfidanti.al