Një tjetër shqiptar “mbret goli”, Armando Vajushi shpërthen në Ligën e Dytë rumune!

Është ende në moshë për të dhënë shumë. Armando Vajushi duket se po e ngre sërish në këmbë karrierën e tij pas dy vitesh në kaos, dhe fatin po e gjen në Rumani. Pasi u bashkua në janar të këtij viti me Petrolulin e Ploeshtit, e nuk arriti të bënte shumë për shkak të epidemisë së koronavirusit, sezoni i ri duke tai i duhuri. Sulmuesi 28-vjeçar është shënuesi më i mirë i Ligës së Dytë të Rumanisë me 4 gola në 4 ndeshje, duke ndihmuar Petrolulin që të jetë në vendin e tretë të renditjes, vetëm 1 pikë larg vendit të parë.

Shkodrani ishte vendimtar në ndeshjen e fundit luajtur në fushën e Çikseredës dhe fituar 2-1, me të dyja rrjetat realizuara pikërisht prej tij. Pak ditë më parë, ai e kishte gjetur sërish rrugën e golit në suksesin 5-0 ndaj Ripenias së Timishoarës, duke ekzekutuar saktë një penallti. Më herët, Vajushi kishte shënuar në portën e Reshicës, në një fitore 4-0. Në Ligën e Dytë të Rumanisë luajnë disa nga skuadrat e njohura të këtij vendi si Universitatea e Krajovës, Rapidi i Bukureshtit, Universitatea e Kluzhit apo Faruli i Kostancës. Vetë Petroluli, ku luan Vajushi, ka fituar 4 tituj në Superligë e po ashtu 3 Kupa të Rumanisë.

Sfidanti.al