Çapekoense nuk do imunitet për rënien nga kategoria

Ekipi brazilian i Çapokoenses, shumica e futbollistëve të të cilit humbi jetën në një aksident ajror pranë Medelinit të Kolumbisë, e refuzoi propozimin që, gjatë tre viteve të ardhshëm, ai të ketë imunitet që të mos bjerë nga kategoria e parë e kampionatit brazilian. Sikurse dihet, ky ekip, para rreth një muaji e gjysmë,  pësoi një fatkeqësi ajrore të tmerrshme, duke qenë se, gjatë saj, humbën jetën 19 lojtarë të këtij ekipi që po shkonte në Kolumbi që të luante në ndeshjen finale të Kupës së Amerikës së Jugut. Krerët e këtij klubi, deri tani, kanë sjellë 20 lojtarë të rinj, me të cilët do të fillojnë kampionatin e ri brazilian.

“Kemi marrë shumë lojtarë në formë huaje. Ne synojmë që të sjellim në ekip cilësi, por edhe të tregohemi të shpejtë dhe ekonomikë, ndërkohë që shumë klube kanë shprehur gatishmërinë që të na ndihmojnë”, vuri në dukje drejtori i klubit, Rui Koshta. Aksidentin ajror e kanë mbijetuar mbrojtësit Neto dhe Alen Rushel që pritet të jenë përsëri pjesëtarë të ekipit edhe në sezonin e ri. Ndryshe nga këta dy lojtarë, portieri Xhekson Folman që, gjithashtu, e mbijetoi fatkeqsinë ajrore, tanimë, nuk do të luajë më, pasi duhej që atij t’i pritej njëra nga këmbët. Çapekoense do ta fillojë sezonin e ri, më 26 janar, duke luajtur në fushën e vet me ekipin Zhoinvil.

Sfidanti.al