Denveri e Jokiçi nuk duan të shkojnë në shtëpi, çfarë përmbysjeje me Klipersat!

Dueli u duk i përfunduar dhe që të gjithë po bëheshin gati për “pjatën e shijshme” të radhës, derbin e Los Anxhelosit në finalen e Perëndimit në NBA. Nuk ishin të këtij mendimi basketbollistët e Denver Nagetsit, sidomos më i miri prej tyre, Nikola Jokiç. “Nuk ishin gati ende që të ktheheshin në shtëpi”, – komentohej në faqen zyrtare të klubit në rrjetet sociale, dhe ashtu ishte. Klipersat kryesuan me 16 pikë në pushim të ndeshjes, por në dy periodat e fundit Denveri shënoi 29 pikë më shumë për të triumfuar 111-98. Jokiç pati 34 pikë, nga të cilat ishin 4 gjuajtje tripikëshe të realizuara nga 6 prova. Serbi shtoi 14 topa në tabela e 7 asistë. Marrej, Porter, Harris e Morris ishin po ashtu të dalluar. Klipersat ndoshta e menduan përpara kohe finalen e Perëndimit, dhe po bënin ndoshta llogaritë për përballjen me Lebron Xhejmsin, por kishin ende punë me Jokiçin, që do ta kenë si sfidë në ndeshjen e shtatë dhe finale. Pol Xhorxh shënoi 33 pikë për ta e Leonard 25.

Sfidanti.al