F1, fitore dhe protestë e Hamiltonit në festën e Ferrarit!

Ishte një garë sikur të ishin tre. i tillë Çmimi i Madh i Toskanës në pistën legjendare të Muxhelos, ku Ferrari garoi për herë të 1000-të në historinë e tij në Formula 1, një rekord absolut, por ku heroi nuk ishte një pilot i italianëve, veçse i përhershmi Ljuis Hamilton. Në një konkurrim që u kthye në një sfidë të tërbuar e me disa aksidente të frikshme, kampioni i botës ia hodhi pa u lagur dhe arriti një fitore që e afroi me historinë.

Anglezi pati triumfin e 90-të në karrierë, që do të thotë vetëm 1 fitore larg rekordit botëror të mbajtur nga Mikael Shumaher. Një ditë më parë, ai pati fitoren numër 95 në garat zyrtare, në “pole position”, një rekord botëror krejtësisht i veti, me vendin e dytë, Shumaherin, që është 27 fitore prapa.

Tre aksidente ndodhën në një distancë kohore prej pak minutash, dhe në pistën e Muxhelos pati 3 starte të garës. Në fillim, ai i vërteti, pastaj një tjetër pas daljes nga pista të makinës së sigurisë, dhe së fundmi një tjetër nisje nga vendi, ndërsa pilotët u thirrën në “pit lejn”. Ishte fat që nga aksidentet nuk pati asnjë problem shëndetësor për garuesit, por vetëm dëme të mëdha materiale të makinave.

“Ishte një lloj dalldie e vërtetë, një kaos i madh, – tha Hamilton pas garës, – ishte sikur bëmë 3 gara në një ditë të vetme. Shkalla e vështirësisë sot ishte e pabesueshme. Pista është fenomenale, por nxehtësia ishte shumë e madhe dhe nuk qe e lehtë të mbaja prapa Valterin. Duhej përqëndrim i madh, pas disa starteve, vërtet shumë e rëndë. Është një çmenduri që kam 90 fitore në karrierë, por gjithsesi nuk harroj kauzën time. Drejtësi për Briona Tejlërin”.

Gjashtë herë kampioni i botës kishte veshur një fanelë ku kërkonte që të arrestoheshin policët që vranë Briona Tejlërin disa kohë më parë.

Sfidanti.al