Pati shumë kritika pas asaj që i ndodhi. Klaus Gjasula padyshim që ishte lojtari më i mërzitur i kombëtares shqiptare për humbjen në Ligën e Kombeve ndaj Lituanisë, sepse u bë shkaktari i golit të vetëm të pësuar, por jeta gjithsesi duhet të vazhdojë. Ai u kthye në Gjermani, ku u bashkua me shokët e tij tek Hamburgu, për t’u bërë gati për sezonin e ri. Bashkë me mbërritjen në “Folkspark”, mesfushori fitoi sërish sigurinë që ka pasur të paktën për dy sezone me radhë.
Hamburgu e mori nga Paderborni, duke i besuar përvojës së tij, diçka që trajneri Tiune mendon se do ta ndihmojë skuadrën e tij të re. Shqiptari do të veshë një nga fanelat më të lavdishme të futbollit gjerman, por që ka zbritur në kategorinë e dytë, dhe që e ka fiksim që të kthehet sa më shpejt në Bundesligë, aty ku mendon se e ka vendin. Gjasula, bashkë me qendërmbrojtësin Lajstner dhe sulmuesin Terode, janë treshja e futbollistëve të pjekur, që do të udhëheqin një ekip me mjaft lojtarë nga 19 deri në 21 vjeç.
Në moshën 30-vjeçare, ai jep garanci të plota për këtë, dhe tek Hamburgu nuk kanë ndërmend të ndryshojnë mendim për shkak të një gabimi me kombëtaren. Shqiptari e tregoi veten tek Paderborni, ku shpesh herë ishte edhe kapiten, ku arriti të shënonte edhe dy gola, të bëhej një nga 7 lojtarët që vrapuan më shumë në Bundesligë, dhe të vendoste rekordin e kartonëve të verdhë në një sezon të vetëm. Me të tillë luftëtarë, Hamburgu ka më shumë besim se do të kthehet në elitë.
Sfidanti.al