Guardiola e Nejmar si “sirena” për Mesin, por po sikur kapiteni të mos ikë?!

Një betejë po zhvillohet “prapa perdeve” për superyllin argjentinas, dhe komandantë Pep Guardiolën dhe Nejmarin. i pari e do Lionel Mesin tek Mançester Siti, ku i ofron bashkimin si dikur dhe shansin për të fituar një tjetër Champions, si edhe Premier Ligën. Padyshim, kapiteni katalanas do të kishte shans të plotësonte një ëndërr, dhe të fitonte një kampionat që nuk e ka fituar deri më sot, thjesht sepse nuk ka luajtur aty. Tek Siti, Mesi do të gjente edhe shokun e tij në kombëtare, Kun Aguero.

Gjithsesi, në garë është futur fuqishëm edhe Paris SG. Mediat shkruajnë se Nejmar i ka kërkuar drejtorit sportiv Leonardo që të bëjë ç’mos afrimin e ish-shokut të tij, dhe kjo do të bënte që braziliani të mos kishte dëshirë për t’u larguar. Mesit do t’i pëlqente Liga e Parë franceze sepse konkurrenca është pak më e dobët dhe ritmi ndoshta pak më i ulët sesa në Angli, pra ai mund të shkëlqente më lehtë dhe të fitonte trofe.

Gjithsesi, ekziston edhe mundësia që Mesi të mos largohet nga Barcelona. Presidenti Bartomeu më në fund ka ofruar të japë dorëheqjen vetëm që numri 10 të mbetet në ekip. Deri tani nuk ka reagim nga kapiteni, i cili besohet se do të flasë këto ditë, “në kohën e duhur”. Tri herë më parë, ai ka deklaruar largimin, dy herë nga Barça dhe një herë nga Argjentina, për t’u kthyer përsëri. Ndoshta mund të ketë edhe një herë të katërt.

Sfidanti.al