Skuadra e Arsenalit synon ashtu si çdo tjetër të ngjitet në lartësi të reja suksesi, por për momentin ajo do të ngjitet në lartësi me një aeroplan të ri. Në një kohë që tifozët prisnin lojtarë të rinj për ekipin, përforcimi erdhi në formën e një avioni Airbus A380, me të cilin yjet “topçinj” do të udhëtojnë nëpër gjithë botën për ndeshjet jashtë fushe. Aeroplani ka dushe, vende për fjetje si dhe një bar-lokal për të kaluar kohën e lirë. Mjeti shumë modern i përket kompanisë ajrore, “Emirejts”, asaj që sponsorizon Arsenalin dhe do të përdoret, për shembull, për ndeshjen në Mynih në Ligën e Kampionëve ndaj Bajernit në muajin shkurt.
Në pjesën prapa krahëve janë vendosur disa fotografi të mëdha të stampuara që i përkasin Olivie Zhirusë, Aleksis Sançezit, Mesut Ozilit, Hektor Belerinit dhe Santi Kazorlës. Aeroplani do të përdoret edhe për ndeshjet jashtë fushe në Premier Ligë, si në fushën e Midëllsbrout, Stouk Sitit apo Suonsit, ndërsa futbollistët do të kenë mundësi të kënaqen gjatë udhëtimit, me një ekran të madh televizori ku mund të përzgjidhen deri 2 500 kanale.