Nuk mund të ndodhte ndryshe. Tek Bajerni dora e hekurt e Hënesit është ligj për futbollistët dhe jo më të flasësh për grupime:“Është shumë e thjeshtë: një lojtar duhet të mësojë gjermanisht dhe ky duhet të jetë detyrim. Përndryshe ai duhet të paguajë. Prandaj na duhet sa më parë përsëri një menaxher (posti vakant i drejtorit sportiv), i cili duhet të kontrollojë dhe ta përcaktojë këtë shumë saktë. Unë u kam shkuar në shtëpi lojtarëve dhe jam kujdesur të shoh se si ka shkuar procesi i mësimit të gjuhës. Gjuha është një urë lidhëse, përndryshe krijohen grupe”, deklaroi Hënes.
“Një lojtar duhet të qëndrojë së paku dy orë përpara librave, – vijoi ai. – Nëse unë dua të integrohem në një klub për një kohë afatmesme apo afatgjate, atëherë duhet të mësoj gjuhën. Nëse nuk e bëj, ky është një sinjal që po e përdor klubin vetëm si një trampolinë apo si rrugë për t’u kthyer në shtëpi. Kohët e fundit nuk jemi fokusuar te kjo pjesë, por nuk mjafton të flasësh vetëm portugalisht apo frëngjisht.
Shembulli më i mirë është trajneri, Ançeloti. Më habit vullneti i tij për të mësuar gjuhën, për t’u integruar dhe për t’u identifikuar me skuadrën. Komunikimi për trajnerin është një faktor i rëndësishëm dhe ai po tregon se ku ka dëshirë, ka dhe një zgjidhje. Lojtarët mund të mësojnë prej tij, për më tepër që Karlo është 57 vjeç. Ata duhet të mësojnë gjermanisht dhe kjo duhet të bëhet prioritet, në të kundërt do ketë masa. Kjo është rruga më e thjeshtë dhe për këtë arsye kemi nevojë sa më shpejt për një drejtor sportiv që të kontrollojë dhe paralajmërojë”.
Sipas gazetarit Kristian Falk, i cili intervistoi presidentin, lojtarët për të cilët 64-vjeçari e ka pasur këtë pakënaqësi janë Dagllas Kosta, Kingsli Koman dhe Renato Sançes.