Deklarata e fortë: “Xhaketa ime duhej të ishte me lot, gjak dhe djersë”!

E ka bërë presidenti i kampionatit UFC të arteve të përziera marciale. Numri 1 i kësaj kategorie të MMA-së, Dejna Uajt (Dana White), i tha këto fjalë për të përshkruar sesi ishin minutat pas humbjes dramatike të Ronda Ruseit në finale për titull botëror me Amanda Nunjesin. Braziliania fitoi në vetëm 48 sekonda ndaj legjendës nga Kalifornia, dhe presidenti i UFC-së shkoi ta ngushëllonte mikeshën e tij.

“Xhaketa ime e dreqit (fucking jacket), – tha ai, – duhej të ishte e mbuluar me lot, gjak dhe djersë. Unë shkova menjëherë në dhomën e saj të zhveshjes, dhe e mbajta të përqafuar për 45 minuta”. Më tej, Uajt tregoi sesi e ngushëlloi ish-kampionen nga disfata e rëndë. “I fola për 45 minuta, – rrëfeu ai, – i thashë se e doja pa fund, se kampionati UFC për femra ekziston vetëm prej teje, se je ti që e ndërtove këtë kampionat, dhe se ti je vendimi më i mirë që kam marrë në jetën time”. Presidenti e siguroi Rondën se ai do ta mbështeste atë në çfarëdo gjëje që do të bënte në të ardhmen, në sport apo jashtë tij, dhe se ishte i sigurt se gjithçka që ajo do të bënte, do të ishte një sukses.

Pavarësisht dy humbjeve fatale në 13 muajt e fundit, Ronda Rusei mbetet sportistja më e madhe e MMA-së për femra, përveçse një ish-xhudiste e shkëlqyer. Besohet se amerikania mund ta lerë sportin, edhe pse është vetëm 29 vjeç.

Sfidanti.al