Fitoi duelin personal, fitoi edhe ndeshjen, dhe këtë e bëri ndaj lojtarit më të mirë të NBA-së, dhe ndaj ekipit më të mirë të ligës. Luka Donçiç realizoi një “tripëll dabëll” të madh në suksesin e Dallasit kundër Miluokit, 136-132 pas kohës shtesë, dhe mund të thuhet se në moshën 21-vjeçare ka mësuar të matet me yjet kryesorë të NBA-së. Slloveni shënoi 36 pikë, kapi 14 topa në tabela dhe shërbeu 19 asistë (rekord personal në NBA), ndërsa udhëheq renditjen e tripëll dabëllave këtë sezon me 17 të tillë, më mirë se Uestbruk apo Lebroni. Antetokumbo nuk ishte keq, shënoi 34 pikë, 13 topa në tabela dhe 5 bllokime gjuajtjesh të kundërshtarëve, ndërsa Miluoki e ka të sigurt vendin e parë në Konferencën Lindore, dhe vendin e parë në NBA pas sezonit të rregullt. Dallasi dhe Donçiçi, duan të dalin në vendin e 7-të në Perëndim, dhe të shmangin një duel në raundin e parë të plej ofit me Lejkërsat.
Sfidanti.al