Paratiçi e quan “të destinuar”, por Juvja sikur u nxitua pak me Pirlon!

Mund të dalë një trajner i madh, të vazhdojë ciklin e të fitojë Championsin, gjëra që i ka bërë kur ka qenë lojtar. Askush nuk mund të ketë dyshime se Andrea Pirlo është një personalitet i madh i futbollit, por Juventusi gjithsesi, duket se është nxituar pak duke e caktuar trajner të ekipit të parë, pak orë pas shkarkimit të Sarrit. Drejtuesi i lartë, Paratiçi, e quan Pirlon “të destinuar si lojtar, dhe jemi thellësisht të bindur se do të jetë i paracaktuar (si fitues) edhe si trajner”.

Po bëhen krahasime me Guardiolën tek Barcelona, dhe Zidanin tek Reali, veçse dy yjet e dikurshëm të fushës e kaluan një përvojë në stol përpara sesa të merrnin në dorë skuadra kaq të mëdha. Guardiola ishte tek Barcelona U19 një sezon, ndërsa Zidan punoi si ndihmës i Ançelotit. Pirlo nuk e ka këtë përvojë. Mund të bëhen krahasime me Hansi Flikun, që doli si papritur trajner i parë tek Bajerni, dhe po arrin suksese të mëdha, por ai ishte ndihmëstrajner për disa kohë në Mynih.

Sfidanti.al