Vendimi i KAS-it në Lozanë ishte sinjali për nisjen e garës së madhe. Mançester Siti është i lehtësuar pasi iu hoq përjashtimi 2-vjeçar në Champions, dhe trajneri Pep Guardiola ka mundësi të përdorë milionat e shumta që kanë aksionerët e klubit për të përforcuar skuadrën (a thua se e ka të dobët). Pasi u lajmërua akordi me lojtarin e krahut të Valencias, Ferran Torres, mësohet se “qytetarët” janë pranë realizimit të transferimit të mbrojtësit të qendrës, Natan Ejk nga Bornmuthi.
Guardiola nuk ngurroi të shpenzonte 41 milionë paundë stërlina, që janë dyfishi i shpenzimit të Bornmuthit kur mori Ejkun. Sukses i madh për klubin e vogël, ndonëse ra nga Premier Liga. Mediat britanike shkruajnë se kjo ishte një fitore-derbi, pasi Ejkun e donte edhe Solskjeri tek Mançester Junajtidi. Përsa i përket Ferran Torresit, ende nuk ka akord me Valencian, që kërkon 45 milionë euro, ndërsa Siti jep rreth 30 milionë. Besohet se akordi do të arrihet për, ndoshta 35-37 milionë euro.
Sfidanti.al