Po ndjek gjurmën e legjendave të stolit në këtë klub. Liverpuli ka pasur emra të mëdhenj si trajnerë në të kaluarën, të tillë si Bill Shenkli, Bob Pejsli apo Keni Dalglish, por edhe Jurgen Klop mund t’i shtohet kësaj liste. Tekniku gjerman fitoi titullin e Premier Ligës, një titull që të kuqtë po e prisnin prej 30 vjetësh, dhe kjo vetëm një vit pasi fitoi Championsin në Madrid. Pas këtyre sukseseve, Klopi u shpall trajneri më i mirë i vitit në Angli, duke marrë votat e kolegëve dhe të mediave, si dhe duke iu dorëzuar trofeu me emrin e madh të Sër Aleks Fergusonit.
Një sukses i merituar për gjermanin, i cili mori një urim pikërisht nga Fergusoni. Ish-trajneri legjendar i Mançester Junajtidit, postoi një video në rrjetet sociale, ku e përgëzonte kolegun më të ri, ndonëse duke i kujtuar me shaka se do ta falte që e kishte marrë në telefon që në orën 3 e gjysmë të natës, nja një muaj më parë, për t’i thënë se Liverpuli kishte fituar titullin. Klopi, që e mbylli sezonin me 99 pikë, një pikë më pak se rekordi, pasoi Pep Guardiolën që e kishte fituar çmimin dy vjet radhazi, ndërsa rekordmeni i këtij titulli individual është pikërisht Fergusoni që e ka fituar 11 herë.
Sfidanti.al