Kush pyet për koronavirusin, kur një 17-vjeçar vlen 28 milionë euro!

Quhet Xhud Belingham, është anglez dhe ende një adoleshent, ndërsa do ta vazhdojë karrierën në Gjermani. Borusia e Dortmundit njihet si “Meka” e “zogjve” të rinj të futbollit, dhe pas të tillëve si Sanço e Haland, ja ku bashkohet edhe 17-vjeçari që këtë sezon luajti me Birmingamin në kategorinë e dytë angleze. Klubi gjerman pagoi rreth 28 milionë euro (25 milionë paundë stërlina), një shifër e lartë për kartonin e një lojtari të kësaj moshe, e pra duket se ndikimi negativ i koronavirusit nuk paska qenë kaq i madh. Për më tepër, rroga e këtij 17-vjeçari arrin në 55 000 euro në javë, që do të thotë nja 2.6 milionë euro në vit. Shkurt, një çmenduri që mund ta bëjë vetëm sporti profesionist, sidomos futbolli. Dortmundi fitoi konkurrencën me Mançester Junajtidin, dhe Belinghami me siguri ka menduar se karriera e tij do të jetë më e sigurt në “Signal Iduna Park” sesa në “Old Traford”.

Sfidanti.al