Mjafton një fitore dhe ndryshon “muzika” për Interin e për Konten!

Kush nuk e kritikoi, dhe kulmi ishte kur këtë e bëri edhe Fabio Kapelo. Prej analistëve, pritej më shumë nga Antonio Konte tek Interi, që duhej të luftonte për titull, sepse shpenzoi 150 milionë euro. Jo vetëm kaq, por u tha se sezoni ishte i dështuar, pasi zikaltërit mbeteshin në vend të katërt, sikur ishin në kohën kur i drejtonte Luçiano Spaleti. Kapelo duhet ta kuptojë mirë se as 150 milionë euro nuk mjaftojnë për të zhdukur epërsinë 8-vjeçare të Juventusit, dhe po ashtu si një njeri me shumë përvojë në stol, duhet ta dijë se nuk mund të bëhen llogaritë para kohe.

Ja, mjaftoi një fitore 3-1 ndaj Torinos në “San Siro”, që Interi “i dështuar” i vendit të katërt të ngjitet në vendin e dytë të Serisë A, me golaverazh paksa më të mirë sesa Lacio. E vërtetë, që vetëm një pikë i ndan 3 skuadra, pasi Lacio ka 68 po aq sa zikaltërit, dhe Atalanta ka 67. Gjithsesi, diferenca me Juven vjet ishte nja 20 pikë, ndërsa për momentin është 8, më shumë se e përgjysmuar. Ndaj Torinos u ngri sërish gjaku kur Handanoviç gaboi dhe Beloti kaloi miqtë në epërsi, por pas pushimit, Eshli Jang, Diego Godin dhe Lautaro Martinez (më në fund) përmbysën shifrat. Godin deklaroi pas ndeshjes se ishte i vendosur të vazhdonte tek Interi.

Sfidanti.al