Juventus, Sarri, konfirmim thuajse i sigurt e këtë radhë merkatoja varet prej tij

Një sezon i turbulluar e shoqëruar me kritika dhe me një mungesë dashurie me ambientin dhe tifozët e Juventusit, nuk do të sjellë largimin e Maurizio Sarrit, mund të ndodhë vetëm nëse Zonja e Vjetër bën ‘harakiri’ dhe lejon  të anulohet avantazhi prej 8 pikësh me Lazion kur kanë mbetur edhe 6 javë nga fundi i kampionatit.

Opsioni Pep Guardiola venitet pas vendimit të CAS për hedhjen poshtë të dënimit të Manchester Cityt, hipoteza Simone Inzaghi largohet me fundin e kampionatit. Në këtë pikë, i pëlqen apo jo, Sarri me fitoren e kampionatit do të ketë një shans të ri në pankinën bardhezi. Një zgjedhje kjo që gjithsesi është logjike, pasi ai u zgjodh për një projekt afatgjatë, edhe pse te Juventus nëse nuk fiton pavarësisht afatit të projektit, largohesh nga detyra.

Edhe perspektivat e merkatos së ardhshme të transferimeve e shtyjnë Sarrin drejt konfirmimit. Ardhja e Arthur nëpërmjet operacionit Pjanic, vijimi i përpjekjeve për Jorginhon, ndjekja e Zaniolos dhe kërkimet për një qendërsulmues për të zëvendësuar Higuain janë një tregues për të ardhmen bardhezi të trajnerit aktual të Juventusit.

Me lojtarë që i përshtaten stilit të tij të lojës, Sarri këtë radhë nuk do të ketë më alibi edhe pse do të duhet që të vijojë administrimin e anarkisë taktike të Dybalës dhe Cristiano Ronaldos, por ky është një problem që cdo trajner do të donte të kishte

Sfidanti.al