Partizani heq italianin Sormani, Ilir Daja e Mirel Josa në “valsin për stolin”!

Tashmë janë të detyruar të mendojnë për një alternativë. Partizani është zyrtarisht pa trajner pasi klubi njoftoi shkarkimin me efekt të menjëhershëm të Adolfo Sormanit, e pra do të nisë kërkimi për pasardhësin. Italiani e mbylli keq aventurën, duke refuzuar të drejtonte ekipin në derbi, për shkak të frikës nga koronavirusi, dhe kjo nuk u prit mirë nga drejtuesit.

Ata, ndërkaq nuk po mendojnë vetëm për një alternativë. Burime pranë klubit bëjnë me dijë se Partizani nuk ka si kandidat vetëm Ilir Dajën. Përveç teknikut të Skënderbeut, presidenti Demi dhe drejtori sportiv, Olsi Rama, po mendojnë edhe për Mirel Josën. Ish-trajneri i Skënderbeut e dy herë në stolin e Tiranës, jepet si mundësi për të drejtuar skuadrën e kuqe, ndërsa ende nuk dihet sesi janë përqindjet në konkurrencën me Dajën. Me gjasë, ky i fundit mund të jetë zgjedhja e parë e kampionëve në fuqi të Shqipërisë, ndonëse besohet se tekniku i Skënderbeut ka vendosur kushtet e tij dhe se nuk dëshiron të ketë ndërhyrje teknike në punën e tij.

Mirel Josa është gjithashtu një nga trajnerët e suksesshëm të futbollit shqiptar të klubeve, pasi ka dalë 3 herë kampion radhazi me Skënderbeun, në vitet 2013-2016, si dhe ishte i pari që udhëhoqi korçarët në fazën e grupeve në Ligën e Europës. Ai vazhdoi punën e nisur nga Shkëlqim Muça, Shpëtim Duro dhe trajneri çek, Stanislav Levi, ndërsa në Europë u eleminuan Krusejdërs i Irlandës së Veriut, Milsami i Moldavisë, u pësua eleminim nga Dinamo e Zagrebit në plej ofin e Championsit, por u kalua në grupet e Ligës së Europës, me Beshiktashin, Lokomotivën e Moskës dhe Sportingun e Lisbonës.

I dyti trajner që ia doli ishte pikërisht Ilir Daja në 2017-2018, duke kaluar katër ture po në Ligën e Europës, e duke fituar 5 pikë në grupe, përballë Dinamos së Kievit, Jang Bojsit të Zvicrës e Partizanit të Beogradit. Tek Partizani, trajneri Sormani duket i ikur, dhe për stolin pritet të zgjidhet njëri mes Dajës e Josës.

Sfidanti.al