Ç’kuptim ka testi i koronës, kur tifozët nuk mund ta përballojnë?!

Sa shpesh e kemi dëgjuar shprehjen se “jeta vlen mbi gjithçka tjetër”. Disa javë më parë, pronari miliarder i klubit të NBA-së, Dallas Maveriks, Mark Kjubën (Kuban) deklaroi se “nga kriza e koronavirusit mësuam se duhet të kujdesemi më shumë për punonjësit sesa për aksionerët e kompanive”, ndërsa që në vitin 1865, presidenti i atëhershëm amerikan, Abraham Linkoln shprehej se “ka më shumë rëndësi punëtori sesa kapitali”.

Të gjitha këto fjalë të bukura i ka marrë era, jo vetëm sepse miliona ton ushqime kalben e hidhen në gropë, ndërsa miliona njerëz nuk marrin kaloritë e nevojshme, por edhe sepse testimet ndaj koronavirusit ekzistojnë, por miliona njerëz nuk mund t’i bëjnë sepse janë shumë shtrenjtë. Nëse një test kushton nja 60 USD, si mundet që njerëzit ta bëjnë, të themi një herë në muaj të paktën, për të qenë të sigurt?

Këtë problem po e has klubi i Bundesligës, Union i Berlinit, që mendon të bëjë testime për tifozët për të parë ndeshjet sezonin e ardhshëm. Stadiumi berlinez ka rreth 22 000 vende, dhe klubi dëshiron që publiku të mbushë impiantin. i bie që të shpenzojë mbi 1.2 milionë USD për një ndeshje të vetme! Si mund t’ia dalë ekonomikisht? Sa duhet të kushtojë bileta që klubi të rimbursojë shpenzime të tilla? Pyetje pa përgjigje në sistemin e sotëm, ndaj shumëkush po mendon se çfarë duhet të ndryshojë?!

Sfidanti.al