Mund ta mbash topin në zotërim 70 për qind, të qarkullosh e të bësh qindra pasime më shumë sesa kundërshtari, të kesh 6 goditje nga këndi ndaj 1 të vendasve, dhe në fund të rrezikosh ta humbësh derbin. Liverpuli e kuptoi se pikërisht derbi nuk është ndeshja më e përshtatshme për të hedhur hapin e parafundit drejt titullit, madje u desh të falenderonte portierin Alison që nuk humbi.
“Nuk mund ta marrim si të mirëqenë që Alison do të na shpëtojë gjithnjë, – tha trajneri Jurgen Klop pas ndeshjes, – duhet të jemi vetë të kujdesshëm dhe të fitojmë ndeshjet. Alison u tregua portier i nivelit botëror, për 90 minuta nuk pati asgjë për të bërë, dhe në fund ishte aty ku duhej, në momentin vendimtar”. Portieri brazilian ndaloi gjuajtjen nga afër të Dominik Kalvert-Ljuinit, ndërsa më pas Tom Dejvis goditi shtyllën. Risharlison pati rast për Evertonin në 32’, në pjesën e parë, ndërsa të kuqtë rrezikuan vetëm me goditjen e dënimit të Fabinjos. Salah e Robertson nuk ishin këtë herë, por Klopi siguroi se ata do të luanin ndaj Kristël Palasit. Liverpuli ka 83 pikë në 30 ndeshje, ndaj 60 të Mançester Sitit në 29.
Sfidanti.al