“Lu-La” u kthye ashtu siç donin tifozët, madje edhe me fjalët e Bepe Marotës se “Lautaro nuk do të largohet, nëse nuk do të ketë dëshirë të ikë”. Deri në zgjidhjen e lëmshit të transferimit të argjentinasit ka ende kohë, por së pari duhet luajtur Seria A, dhe Antonio Konte u kthye në stol në kampionat, duke marrë një fitore tepër të rëndësishme. “Lu-La” shënuan, ashtu siç janë mësuar tifozët zikaltër, dhe sulmuesi belg nuk harroi të bënte pjesën e tij për nderimin e Xhorxh Flojdit, dhe për të protestuar kundër racizmit në botë.
Lukaku realizoi në 32’ pas një kombinimi shumë të mirë me Eriksenin, ndërsa Lautaro Martinez shtoi golin e tij në 33’. Gjithsesi, pas pushimit Sampdoria luftoi fort, ngushtoi shifrat me anë të Morten Torsbit, dhe e vuri në vështirësi Interin deri në fund. “Fitore e rëndësishme dhe i bëj komplimente lojtarëve që e morën veten pas ndeshjes së kupës, – tha trajneri interist, – gjithsesi, ne duhet të mësohemi të luajmë 90 minuta, ndryshe do ta kemi shumë të vështirë. Kjo që ndodhi sot me Sampdorian, nuk duhet të përsëritet”. Interi ka 57 pikë, 6 më pak sesa Juventusi kryesues, dhe 5 prapa Lacios, duke pasur 51 gola të shënuar, më mirë sesa kampionët në fuqi.
Sfidanti.al