Verona drejt Europës, por Marash Kumbulla shkon drejt … Lacios!

Me fitoren 2-1 ndaj Kaljarit, Helasi është në një pozitë të tillë në Serinë A, që mund të pretendojë kthimin në Europë. Ka 38 pikë, duke qenë menjëherë pas Napolit, e për një skuadër me burime financiare kaq modeste, kaq pikë në 26 ndeshje janë shumë. Di Karmine ishte autor i të dy golave në fitoren e ekipit të Marash Kumbullës e Amir Rrahmanit. Ky i fundit dihet që do të shkojë tek Napoli, ndërsa për Kumbullën gjërat janë pak më të ndërlikuara.

Interesimi më i madh padyshim që është ai i Interit, në garë edhe Juventusi (sipas mediave), por “Il Mesaxhero” e Romës shkruan se mbrojtësi 20-vjeçar shqiptar do të shkojë tek Lacio. Paska një akord mes palëve, ndonëse duhet që klubi kryeqytetas të bindë Veronën. Kjo e fundit refuzoi 23 milionë euro në janar, pasi Kumbulla nuk pranoi, dhe kërkon 30 milionë euro tani. Gjithsesi, Igli Tare shpreson që të mos paguajë më shumë se 20 milionë duke pasur parasysh se vetë futbollisti dëshiron Lacion.

Sfidanti.al