U mund në Kupë? Buxheti i Zarbrykenit, sa rroga e një lojtari tek Leverkuseni!

Nga fusha futbollistët padyshim që dolën me kokën lart, edhe pse eleminimi ishte i rëndë me shifrat 0-3. Zarbrykeni (1. FC Saarbruecken) vërtet nuk e realizoi dot ëndrrën për të shkuar në finalen e Kupës së Gjermanisë, por duhet të ndihet krenar. Pas një sezoni të jashtëzakonshëm, skuadra e kategorisë së katërt, drejtuar nga trajneri Kvasniok, respektoi emrin e saj si themeluese e Bundesligës në fillim të viteve 60-të.

Në stadiumin e vet, në prani të ndoshta rreth 6 000 spektatorëve, u dorëzua pas golave të shpejtë shënuar për Leverkusenin nga Musa Diabi në 11’ e Lukas Alario në 19’, ndërsa pas pushimit, Karim Belarabi vulosi shifrat në 58’. Nuk ka gjë për t’u dekurajuar. Buxheti i Zarbrykenit arrin në vetëm 3.5-4 milionë euro, vërtet i rëndësishëm për kategorinë e katërt, por tepër i vogël në krahasim me klubet e Bundesligës. Leverkuseni ka rrogën mesatare të një lojtari gati 3 milionë euro në vit, ndërsa të tillë si Bender, Foland e Belarabi arrijnë në gati 5 milionë euro. Të mos flasim për Bajernin që ka bordero rrogash prej 250 milionë eurosh në sezon.

Sfidanti.al