Barcelona shpenzon miliona për Lautaron, por kërkon ulje rroge të yjeve!

Pritet që të bien dakord edhe këtë herë, ndonëse pa asnjë dëshirë. Presidenti i Barcelonës, Bartomeu, e pa veten të detyruar t’u kërkonte yjeve të skuadrës një tjetër ulje rroge, pavarësisht se diçka e tillë ishte bërë pak javë më parë. Lionel Mesi me shokë dolën vullnetarë për të ulur pagat e tyre me 70 për qind gjatë gjithë muajve të ndërprerjes së futbollit nga koronavirusi, ndërsa kapiteni sulmoi drejtuesit e klubit.

Lajmet nga Spanja janë se presidenti do të kërkojë ndihmë financiare nga lojtarët, për të kursyer edhe të paktën 10 milionë euro të tjera. Ka polemika, qoftë edhe të papohuara zyrtarisht, për destinacionin e këtyre parave, përderisa klubi katalanas do të shfrytëzojë skemën qeveritare për të paguar punonjësit e administratës.

Gjithsesi, nga Katalonja ka edhe njoftime pozitive. E përditshmja “Sport” njofton se Barça ka arritur akord me Interin për transferimin e sulmuesit Lautaro Martinez. Flitet për një marrëveshje për t’u paguar 80 deri në 90 milionë euro, plus për t’u dërguar edhe dy lojtarë në Milano. Vetë 22-vjeçari Martinez do të përfitonte një rrogë prej 12 milionë eurosh në sezon, plus shpërblimet e mundshme. Nëse kjo ndodh, do të ishte një sukses i madh i katalanasve, që do të kënaqnin Lionel Mesin, që ka kërkuar me ngulm forcimin e sulmit.

Një tjetër gazetë në qytet, “El Mundo Deportivo”, njofton se nga Barcelona do të largohet Usman Dembele. Sulmuesi i ri francez do të jepet tek Juventusi në formë huazimi, dhe në “Kamp Nou” do të shpëtonin nga një pjesë e madhe e rrogës së tij, plus që Dembele do të siguronte më shumë minuta për të luajtur.

Sfidanti.al