Futbolli i bën me dijë qeverisë në Itali: Kampionatet do të luhen!

Pritet se çfarë do të thotë kryeministri Konte, dhe ministri i tij Spadafora, por përsa i përket Këshillit Federal gjithçka është e vendosur. Seria A, Seria B dhe ajo C, në Itali, do të luhen deri në fund, dhe nëse do të ketë ndërprerje të tjera, do të kërkohet “strehë” tek plej ofi dhe plej auti. Afati maksimal i shtyrjes së kampionatit është 13 qershori, ndërsa afati i përfundimit 2 gushti. Në këtë mënyrë, Italia i dha një projekt edhe UEFA-s, që kishte vendosur afat për t’u përgjigjur deri në 25 maj. Përsa i përket qeverisë, deri tani Konte është shprehur se nuk janë ende garancitë e nevojshme për t’u luajtur. Ndoshta krijohen deri në 13 qershor. Nga ana tjetër, problem do të jetë me lojtarët dhe raportet financiare me klubet. Kreu i Shoqatës së Futbollistëve, Damiano Tomazi, është shprehur se “lojtarët kanë punuar gjatë ndërprerjes, pasi janë stërvitur, por klubet nuk i paguajnë”. Me gjasë, në të ardhmen, do të duhet të futen në kontrata edhe klauzola për momente të tilla.

Sfidanti.al