“Ca të nënës, ca të njerkës”, pabarazi në stërvitjen e ekipeve të Superligës!

Jemi në pandemi, por jemi edhe në Shqipëri. Kur vjen puna për respektimin e ligjit, tek ne ekziston edhe shprehja për “Maliqin”, pra që detyrimi mund të shkelet, por edhe që kushtet mund të mos jenë të njëjta për të gjithë. Burime pranë klubeve të Superligës pohojnë me siguri të plotë se disa prej ekipeve e kanë vazhduar stërvitjen, edhe kur ajo ka qenë e ndaluar, ndonëse në mënyrë pak më të kufizuar.

Tek Tirana mund të kenë humbur ndoshta vetëm 10 ditë, maksimumi dy javë, ndërsa pjesën tjetër të kohës, sipas burimeve te kryeqytetasit, kanë punuar në kompleksin “Skënder Halili” të ndarë në dy grupe, dhe me staf teknik. Edhe tek Teuta stërvitja thuajse nuk është ndërprerë fare, pasi është punuar nga lojtarët që kanë qenë me bazë në Durrës, dhe me ndihmën e stafit teknik, ndonëse jo të trajnerit, Edi Martini. Duket se këtë gjë ka bërë edhe Bylisi.

Partizani, ndërkaq, thuhet se ka më pak kohë i stërvitur sesa skuadrat e mësipërme, por gjithsesi ka mjaft përgatitje, pavarësisht se trajneri Sormani aludoi se ekipet e tjerë i kanë bërë padrejtësi. Një javë më shumë sesa leja mësohet se është stërvitur Kukësi, që mund të quhet më prapa sesa rivalët kryesorë.

Më të dëmtuar janë ekipe si Vllaznia e Laçi. Shkodranët nuk kanë bërë fare seanca kolektive, dhe po ashtu edhe kurbinasit e kanë pasur të pamundur për shkak të mbylljes së restorantit ku ushqehej zakonisht ekipi. Në kushte të tilla, kapiteni i Vllaznisë, Gilman Lika, nuk u druajt të shprehte shqetësimin e tij. Superliga pritet të nisë në 3 qershor, por pabarazia në përgatitje ka qenë e dukshme, diçka që padyshim do të ndikojë në garë.

Sfidanti.al