Kampionati në shtetin euroaziatik është, edhe ai i ndërprerë. Gjithsesi, në Turqi mendohet për rifillimin e Superligës në qershor, ndaj edhe klubet kanë nisur testimet masive për koronavirus. Një prej emrave më të shquar, Beshiktashi, vendosi të blinte dhe të instalonte një kabinet të madh dezinfektues në kompleksin e tij stërvitor, “Nevzat Demir”. Klubi nga Stambolli dëshiron të jetë i sigurt që futbollistët do të dezinfektohen siç duhet kur të vijnë në stërvitje, në mënyrë që të jenë më të mbrojtur, qoftë për seancat përgatitore, qoftë edhe për ndeshjet e kampionatit. Aparatura moderne është prodhuar nga kompania turke “Etisan”.
Shpresat janë që të merret leje nga autoritetet dhe gjithçka të jetë gati për të rinisur kampionatet e të gjithë niveleve në 12, 13 e 14 qershor, ndërsa sezoni u ndërpre në 19 mars. Ky është plani i Federatës Turke të Futbollit, por që ka hasur në kundërshtimin e Ministrisë së Shëndetësisë, që i kërkon federatës të mbajë përgjegjësinë për gjithçka që mund të ndodhë. Trabzonspori kryeson renditjen e Superligës pas 26 javëve të zhvilluara, por me pikë të barabarta me Istanbulbashaksehirin, nga 53. Klubet e shquar të Stambollit, si Gallatasaraji, Beshiktashi e Fenerbahçe janë më prapa, ndonëse Gallatasaraji ka shanse për fitimin e titullit, duke pasur vetëm tri pikë më pak se kryesuesit. Deri në përfundim të Superligës duhen edhe 8 javë.
Sfidanti.al