Janë të shumtë sportistët që kanë dhuruar për të luftuar epideminë. Mes tyre nuk bën pjesë një futbollist ende aktiv, dhe që quhet Emanuel Adebajor. Sulmuesi 36-vjeçar, që sot luan për Olimpian në Paraguaj, ka refuzuar të ndihmojë vendin e tij, Togon, për t’ia dalë ndaj koronavirusit, duke krijuar polemika të forta.
“Ky nuk është problemi im, – është shprehur ai, – nuk e solla unë koronavirusin në Togo. Unë nuk bëj dhurime, unë bëj atë që më pëlqen, ushqehem ashtu siç më pëlqen. Kjo është shumë e thjeshtë. E di se do të ketë njerëz që do të më kritikojnë për këtë, por nuk ka problem”.
Adebajori ndodhet i izoluar në kompleksin e tij luksoz në kryeqytetin e Togos, dhe është duke pritur që të kalojë epidemia e koronavirusit. Ai ka fituar miliona euro apo dollarë gjatë një karriere të gjatë, në të cilën ka luajtur për skuadra të shquara si Reali i Madridit, Mançester Siti, Totenhemi apo Arsenali, ndërsa ka qenë kapiten i skuadrës së tij kombëtare. Ky qendrim është krejt i ndryshëm me atë që sulmuesi afrikan ka bërë 3 vjet më parë, duke ndihmuar 90 fëmijë në Togo për plot një vit. Nuk është e qartë se përse ka ndodhur ky ndryshim.
Sfidanti.al