Derbi luhet në FB, Partizani e Tirana “shënojnë gola onlajn” për historinë!

Ka ditë që nuk po gjejnë rehat. Dy rivalët e kryeqytetit të Shqipërisë, Tirana e Partizani, po ngacmohen në distancë, në faqet e tyre zyrtare në Fejsbuk (Facebook) duke i kujtuar disfatat që i kanë shkaktuar palës tjetër. E kuptueshme, përderisa nuk kanë mundësi të ndeshen në fushë apo të luftojnë për trofe.

Pak rëndësi se kush e hapi këtë lojë, ndërsa të dyja palët duket se do të vazhdojnë gjatë. Tirana kujton fitoren 3-1 në derbi në 1987, sezonin që e mbylli me titullin kampion në 1988, ende me brezin e madh të Mingës, Kolës, Muçës, Lekbellos e të tjerëve. Partizani i është përgjigjur me fitoret dhe golat e tij, siç ishte rezultati 3-1 në 2003-2004, me golat e shënuar nga Klodian Duro, Gjergji Muzaka e braziliani Karioka.

Në të njëjtin sezon, tiranasit kujtojnë golin e Indrit Fortuzit në suksesin e tyre minimal, ndërsa tradita e atyre kohëve vazhdonte të ishte pozitive për bardheblutë. Ja edhe suksesi 4-1 i të kuqve në 2007-2008 me rrjetat e shënuara nga Osmani, Devolli, Shkëmbi e Abilaliaj. Tek Tirana nuk u mërzitën dhe publikuan golin tepër të shpejtë të sulmuesit dibran, Mahir Halili në fillim të viteve 2000, goditje e realizuar që në sekondën e 17-të.

Një tjetër përgjigje e partizanasve erdhi me golin e Xhevahir Sukajt, në një fitore minimale 1-0 në 2015-2016 kur Partizani doli nënkampion e u kualifikua për në kupat e Europës, pas Skënderbeut. Gjithashtu, ish-ushtarakët publikuan edhe një foto për të rikujtuar fitoren më të thellë në derbi, 8-0 në 1947.

Për momentin, fjalën e fundit e ka klubi 100-vjeçar që ngacmoi rivalin e madhe me postimin e videos së fitores së fundit, 5-1 në “Arenën Air Albania”, një sukses i pazakonshëm arritur nga ekipi i drejtuar nga trajneri Emanuel Egbo.

Sfidanti.al