Reali i Madrid nuk ka humbur asnjë ndeshje në këtë edicion të kampionatit spanjoll dhe shkon në pushime i pamposhtur në La Liga, ku mban vendin e parë. Ashtu si Hofenhaim në Gjermani, skuadër që gjithashtu nuk njeh humbje, por në këtë rast është në vendin e pestë të klasifikimit. Këto janë dy të vetmet ekipe në pesë kampionatet kryesore që nuk e njohin shijen e disfatës, por edhe në pjesën tjetër të Evropës gjendet ekipe të pamposhtura. Në Skoci, Sëlltik i ka fituar të gjitha ndeshjet, me përjashtim të njërës që ka barazuar, ndërsa surprizën më të madhe në Turqi e ka bërë Istanbul Bashaksehir, i drejtuar nga Emre dhe ku aktivizohet sulmuesi shqiptar, Sokol Cikalleshi.
Në Ukrainë, Shaktar Donetsk vazhdon të mos gjejë dot një kundërshtar për ta mundur, ndërsa në Danimarkë nuk ka asnjë humbje Kopenhagen. Ndërkohë, edhe Shqipëria ka të pamposhturën e saj. Kukësi ka fituar nëntë dhe ka barazuar nëntë nga 18 ndeshjet e luajtura, duke e mbyllur vitin 2016 në krye të Kategorisë Superiore, pa pësuar asnjë humbje. Për të njëjtën gjë, pathyeshmërinë në pjesën e parë të sezonit, në Kroaci mund të krenohet vetëm Rijeka.
Skuadrat e pamposhtura europiane të sezonit
- Real Madrid (Spanjë)
- Hofenhaim (Gjermani)
- Sëlltik (Skoci)
- Istambul Bashaksehir (Turqi)
- Shaktar Donetsk (Ukrainë)
- Kopenhagen (Danimarkë)
- Kukësi (Shqipëri)
- Rijeka (Kroaci)