Shqetësimi në vend mbetet i madh për shkak të epidemisë, por ai duket se mund të jetë i qetë. Çdo e keqe e ka edhe një të mirë, thotë populli, dhe e mira e dëmtimit të rëndë për Elis Bakajn është që ai do të mungojë për 6 muaj nga fushat e lojës në Bjellorusi. Premier Liga e këtij vendi vazhdon pavarësisht rrezikur nga koronavirusi, veçse sulmuesi shqiptar me gjasë e mbylli pjesën më të madhe të sezonit, pas lëndimit serioz që pësoi dy ndeshje më parë, në ndeshjen e kampionatit të Dinamos së Brestit ndaj Sllavias së Mozirit.
Bakaj 32-vjeçar u operua për shkak të dëmtimit në kokë, dhe tani do të duhet të kalojë një periudhë 6-mujore riaftësimi për t’u kthyer në gjendjen fizike për të luajtur futboll. Për një kohë të caktuar, ai nuk do të stërvitet, ndërsa më pas do të rifillojë gradualisht, me ushtrime individuale, në palestër e në fushë, derisa të bashkohet me shokët në kompleksin stërvitor të klubit.
Bakaj u bashkua me Dinamon e Brestit në fillim të këtij viti, pasi luajti për disa sezone po në Bjellorusi me Shahtjorin e Soligorskut, duke qenë një nga lojtarët më të mirë të kampionatit. Dinamo e Brestit është kampione në fuqi e vendit, si dhe fituese e Superkupës, por këtë sezon nuk e ka nisur mirë, dhe mungesa e Bakajt pritet të ndikojë gjithashtu për keq.
Sfidanti.al